Tiranë – Berisha vlerëson projektin për tenderat online

Me të tilla fjalë, kryeministri Berisha ka përshëndetur efektet e projektit për tenderat online, për të cilin Shqipëria është vlerësuar me një çmim të veçantë së fundmi edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Duke vënë në dukje problematikat që ekzistonin dukur në fushën e prokurimeve publike, Berisha tha se “mbi 75% e tyre realizoheshin në mënyrë direkte, çka do të thotë se paratë shkonin aty ku paracaktoheshin dhe jo aty ku e meritonin”. “Dhe çka ishte më e rëndësishmja, ishte fakti që zyrtarët e prokurimeve nuk u njihnin firmave dokumentet e tyre, gjë që pengonte procesin”, vuri në dukje Berisha. Duke shtuar më tej se duke i kompjuterizuar, “ne bëmë të mundur që të mos zhdukej asnjë prej këtyre dokumenteve”. Sipas tij, zbatimi në mënyrë strikte e këtyre projekteve nuk ka sesi të mos i ketë të dukshme rezultatet. “Për administratën shqiptare përbën një fakt vital dhe me rëndësi të jashtëzakonshme, pajisja me mjete digjitale”, tha ai. “Do ndiheshim shumë të lehtësuar nëse të gjitha shërbimet do t’i kishim të përqendruara në një sportel të vetëm, sikundër edhe regjistri i pronave të ishte i elektronizuar”, vijoi më tej kryeministri Berisha, duke parashtruar faktin se projekti i Shqipërisë dixhitale është kthyer tashmë në një sfidë për qeverinë që ai drejton. Sipas Berishës, këtu futet edhe projekti për kthimin e regjistrit të pronave në elektronik, si edhe të gjitha listimet në tërësi në Shqipëri, të kthehen në elektronike. “Zbatimi me seriozitet i reformave jep rezultatet në mënyrë të pashmangshme. Dhe për administratën është domosdoshmëri aplikimi i procedurave elektronike. Ne duam të kemi në një sportel të vetëm të gjitha shërbimet në mbarë Shqipërinë. Kjo kërkon përkushtimin tonë, atë përkushtim që treguan punonjësit e AKKP-së dhe Qendrës së Regjistrimit të Biznesit”, pohoi ai.

Advertisement