Tiranë – Berisha, vlerësimi për procesin i takon vëzhguesve

“Pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje është më e larta në 13 vitet e fundit. Deri në 12.30 kanë votuar rreth 40 % e qytetarëve shqiptarë dhe niveli më i lartë është në kryeqytet, Durrës, Vlorë etj”, ka deklaruar kreu i qeverisë. Më pas, ai ka pohuar se nuk mund të mos shprehë mirënjohjen ndaj qytetarëve shqiptarë për pjesëmarrjen dhe ftesën për të votuar të gjithë. “Të votojnë të gjithë sepse duke vendosur besimin e tyre në këtë proces, ata firmosin projektin më të mirë që dëshirojnë për 4 vitet që vijnë”, deklaroi ndër të tjera Berisha. Sipas tij, në tërësi ky është një proces me zhvillim normal dhe fjalën mbi karakterin e incidenteve do ta kenë 500 vëzhguesit që janë në kuadrin e Asamblesë të Këshillit të Evropës, të NATO-s dhe OSBE-së të cilët do të japin në raportet e tyre vlerësimet që u takojnë. Sa i përket faktit të denoncimit të pajisjes së komisionerëve socialistë me mikrokamera, ai tha me ironi se nuk e kanë besuar kur pohonte se Rama i fuste “çimkat”.

Advertisement