Tiranë – Berisha, të mos lëvizet monumenti i Skënderbeut nga sheshi

Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, ku ka theksuar se është skandaloz trafiku dhe kaosi që po krijon nisja e punimeve në sheshin kryesor të vendit, prandaj nevojitet zhvillimi i diskutimeve të gjera dhe me qetësi pa u ngutur. Ndër të tjera, kreu i qeverisë ka bërë me dije se “gjatë vizitës së tij në Kuvajt kërkoi një shtesë për Sheshin dhe sot takoi të dërguarin e Emirit të Kuvajtit, i cili në formë dhurate ka vendosur të dyfishojë fondin e ndihmës për sheshin “Skënderbej”. “Pra, do të jenë disponibël jo 5 milionë, por 10 milionë euro për ndërtimin e këtij sheshi”, vuri në dukje kreu i qeverisë. Duke shtuar më tej, se priti në një takim edhe përfaqësuesit e studios që ka bërë projektin për qendrën e Tiranës, një studio serioze sipas tij. Duke bërë vërejtjet e tij konkrete mbi projektin që paraqet Bashkia e Tiranës, kryeministri Berisha tha se nuk e gjen aspak me vend heqjen e monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke thënë se duhet të gjendet vendi për statujën. “Kur ne jemi duke bërë lobing që busti i heroit tonë kombëtar të vendoset në sheshet e tjera të botës, nuk mund ta heqim atë nga qyteti ynë”, deklaroi ai. Duke e vlerësuar heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, për rolin në ruajtjen e identitetit të shqiptarëve, Berisha tha se nuk është me vend heqja e monumentit të tij nga qendra e vendit. Më tej, ai ka theksuar se projekti i ri rrezikon të zhysë në një kaos total qarkullimin e trafikut në Tiranë. “Eksperimenti i parë që bëri Rama sot krijoi një bllokim të përgjithshëm për lëvizjen e njerëzve”, u shpreh Berisha.

Advertisement