Në një konferencë për shtyp dhënë sot, kreu i qeverisë u shpreh se është i gatshëm të zbatojë rekomandimet e delegacionit të KiE-së për zgjidhjen e situatës politike. Ai vlerësoi se “KiE ka dhënë kontribut për normalizimin e situatës”. Duke u ndalur në çështje konkrete Berisha u shpreh se është i gatshëm të ngrejë komisionin hetimor për transparencën e zgjedhjeve. Ai theksoi se mazhoranca e ka thënë dhe më parë qëndrimin e saj për ti dhënë opozitës, “shumicën dhe kryesinë e komisionit”. Ai ka kërkuar që të njëjtin vlerësim për delegacionin dhe qëndrimet e KiE-së të mbajë dhe kreu i opozitës Edi Rama. Deklarata e kreut të qeverisë u bë pas konferencës për shtyp të delegacionit të KiE-së, ku kërkohej kthimi i PS-së në Kuvend dhe hetim i zgjedhjeve. “Garantoj KiE se qeveria është dakord me deklaratën dhe ka bindjen se kjo deklaratë është kontribut thelbësor në normalizimin e situatës aktuale të krijuar nga bojkoti i opozitës”, u shpreh kryeministri Berisha. Berisha u shpreh se deklarata e KiE-së është një kontribut thelbësor për kthimin e situatës në normalitet.