Në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se pas ardhjes së prokurorit të SHBA-së qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me prokurorinë. “Natyrisht qeveria mbetet për një hetim të pavarur ashtu siç është e domosdoshme dhe interesi i qytetarëve shqiptarë”, theksoi Berisha duke shtuar se çdo ditë po bëhen përpjekje për të sabotuar këtë proces duke u botuar në media dokumente të dosjeve të hetimit. Ai gjithashtu i cilësoi si trillime publikimet në media se garda i ka fshehur prokurorisë serverin. “Jemi të interesuar për hetim të plotë dhe të gjithanshëm të rrethanave që humbën jetën 4 qytetarë. Jemi për hetim të pavaruar për të gjetur se cila është dora e zezë që ekzekutoi 4 qytetarët” theksoi më tej Berisha. Ndërkohë kryeministri Berisha ka paralajmëruar se nuk do të lejohen pengesa në hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit. “Ne kërkojmë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm por paralajmërojmë që pengesa ndaj hetimit nuk do të tolerohet. Askush nuk mund ta parandalojë këtë proces jetitik” theksoi më tej Berisha.