Duke folur para banorëve të këtyre komunave Kryeministri krahasoi programin e PS-së me atë të kohës marksiste-leniniste. “Teoria e “sovranitetit ushqimor” ishte formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste, kur kishin organizuar një tubim antiglobal kundër tubimit kombëtar, për t’i dhënë fund varfërisë. Nuk ka nevojë fermeri shqiptar, as për “sovranitet ushqimor”, pasi ai prodhon vetë ushqime nga më të mirat, nuk ka nevojë as për enciklikat e Edi Ramës. Enciklika është dokumenti që Ati i Shenjtë u lexon besimtarëve dhe nuk ekziston politikan në botë që të flasë për enciklikë”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverise tha se një ndër prioritetet e qeverisë së tij në mandatin e dytë do të jetë barazimi i pensionit në fshat me atë në qytet. “Hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve të fshatit me pensionet në qytet, sepse e meritoni”- tha Berisha. Berisha premtoi ndërtimin e rrugës Baldushk-Papër, në kompletim të aksit të ri rrugor që lidh Tiranën me Elbasanin. “Në komunën e Baldushkut, në 8 vite, para kësaj qeverie, janë investuar gjithsej 12 milionë lekë, ndërkohë që në komunën e Baldushkut, në 3 vjet, janë investuar 750 milionë lekë”- përfundoi kryeministri Berisha.