Tiranë – Berisha, shumë shpejt liberalizimi i vizave

Në fjalën e tij mbajtur në seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, Berisha deklaroi se gjashtë muajt e pjesës së dytë të këtij viti, kanë qenë shumë të mbara për shqiptarët. “Sot parlamenti miratoi një rezolutë sipas së cilës, pas plotësimit të kushteve nga Shqipëria, heqja e vizave do të bëhet me urgjencë”, u shpreh kryeministri. Ai theksoi se 27 ambasadorët e BE vendosën që kërkesa e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE të kalojë ditët e ardhshme. Sipas Berishës, kjo do të thotë që shqiptarët shumë shpejt do të mund të lëvizin të lirë, do të kenë shanse më të mëdha për punësim e arsimim e sidomos do të mundësohet bashkimi familjar. Berisha vijoi më tej duke thënë se asnjë komb më shumë se ai shqiptar se ka përjetuar dramën e madhe të ndarjes së familjeve si pasojë e varfërisë në diktaturë. Në lidhje me plotësimin e kushteve të vendosura nga Brukseli, Berisha garantoi se do të punohet fort për reformat e nisura edhe pse sipas tij ky proces është shumë i vështirë. “Ne do të adaptojmë standardet e BE, ato standarde janë faktuar si më të mirat për qytetarët e vendeve të zhvilluara, ndaj dhe ne do t’i bëjmë tonat”, tha kryeministri.

Advertisement