“Ajo cka është më kapitale është fakti se raporti thekson se nuk ka pasur provë për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve. Në raport evidentohen të gjitha përparimet e bëra, me infrastrukturën ultramoderne, listat e zgjedhësve, letërnjoftimet biometrike, përgjegjshmëria ligjore e KQZ por dua të ritheksoj se raporti shkruan se nuk pati asnjë provë për manipulim apo parregullsi të rezultatit”, tha Berisha. Kryeministri i ka bërë thirrje kryetarit të PS, Edi Rama që të lexojë raportin e OSBE-ODIHR dhe të heqë dorë nga shpifjet dhe trillimet për rezultatin e zgjedhjeve. “Unë kisha bindjen se numërimi i votave në këto zgjedhje ishte procesi më i rregullt ndër vite. Pasi i besoja gjithë atyre komisionerëve që monitoruan zgjedhjet, mediave që denoncuan parregullsitë në zgjedhjet e shkuara. Por në këto zgjedhje votimi ishte më i qetë se asnjëherë tjetër. Unë i them Ramës që vendi i deputetëve të tij është në parlament. Ai duhet të heqë dorë nga akuzat për të burgosurit që janë liruar në ditën e zgjedhjeve” tha Berisha. Por kreu i qeverisë nuk ka mohuar dhe të metat të cilat evidentohen dhe në raport. Sipas tij, raporti shprehet qartë se në këto zgjedhje nuk u shfrytëzuan potencialet për të arritur standardet më të larta. Berisha nënvizoi se standardet janë për tu arritur si objektiv, pasi lartësia maksimale arrihet nga një grup i vogël. Berisha premtoi se të metat e dobësitë e evidentuara do të përfshihen në programin e qeverisë së tij. Me publikimin e raportit final të misionit të OSBE-ODIHR, Berisha theksoi se Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit përsa i takon procesit të zgjedhjeve.


