Tiranë – Berisha, Rama të dorëzojë projektin e Unazës së Madhe

Duke sulmuar kundërshtarin e tij politik, kryetarin e PS-së Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës, Berisha tha se më 28 qershor tiranasit do të shembin murin e fundit të korrupsionit. “28 qershori do shembë murin e fundit të korrupsionit që ka mbetur në Tiranë. Murin e ndërtuar me lejet e ndërtimit”. Gjatë fjalës së hapjes së konferencës së PD, kryeministri bëri me dije se Tirana dhe infrastruktura e saj ka qenë prioritet i qeverisjes së tij dhe i tillë do të mbetej edhe pas 28 qershorit. Konferenca e PD-së së Tiranës u zhvillua në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit “Tiranasit duhet ta dijnë se qeveria që unë kryesoj ka 5-fishuar grantin për qytetarët. Këtu nuk përfshihen ndërtimet e mëdha si nyja hyrëse e Kamzës, një nga më të bukurat në vend. Nuk përfshihet shesh rrotullimi te sheshi “Rilindja”. Kryeministri i bëri thirrje Edi Ramës të dorëzojë projektin e Unazës së madhe, pasi demokratët zotohen se do ta përfundojnë atë brënda një viti, dhe garantoi se në planet e qeverisjes së tij ishte ndërtimi i një metropoli të vërtetë europian jo vetëm në fizionominë por në të gjitha tributet e një kryeqyteti. “Rama të dorëzojë projektin e Unazës së madhe të Tiranës. Jemi të gatshëm ta përfundojmë projektin e brenda një viti. Jemi gati të zgjidhim me kohë rekord problemet e trafikut të kryeqytetit. Të vendosur të nxisim biznesin në kryeqytet. Një seri parqesh industriale janë planifikuar në periferi të Tiranës. Vepra të tjera në infrastrukturën e saj do të nisin së shpejti si ajo që lidh Elbasanin me Tiranën, Jugun me Tiranën, Veriun me Tiranën”. Sipas kryetarit demokrat, fitorja e “blu-së”në Tiranë, ku flitet se do të jetë dhe zona e tij elektorale do të jetë e madhe se ajo e zgjedhjeve parlamentare të 4 viteve më parë. “Fitoren e 2005-së do ta zgjerojmë në një masë të paimagjinueshme. Tirana e 28 qershorit, përsa i përket votës do të jetë si Tirana e ’92. Tirana do i prijë Shqipërisë drejt një fitoreje historike”- tha Berisha në fjalën e tij të mbajtur në konferencën e PD-së në Tiranë. Konferenca e Partisë Demokratike për Tiranën do të zgjedhë kryetarin e ri të demokratëve të Tiranës. Në garë deri tani janë ish ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, Gjergj Bojaxhi dhe deputetja Lajla Pernaska. Një nga figurat më të vjetra në PD, Besnik Mustafaj deklaroi dje tërheqjen nga politika në 4 vitet që vijnë. Mustafaj deklaroi se për shkak të mungesës së transparencës, debatit të brendshëm dhe mosrespektimit të statutit të PD-së, për një garë që sipas tij duhet të ishte e ndershme, ai e mori këtë vendi.

Advertisement