Në një konferencë për shtyp nga selia blu kryeministri Berisha akuzoi Ramën dhe njerëzit e tij se janë autorët e “akteve të turpshme” që po ndodhin në Qendrat e numërimit në Fier dhe në Rrogozhinë “24 orët e fundit fallagna të krimit në PS të udhëhequra nga Edi Rama po bëjnë cdo përpjekje për të bllokuar këtë proces. Dje në orët e para pas mesnate Andis Harasani deputet i PS-së në Fier sulmoi me karrige komisionerin e PD-së në Rrogozhinë, para kamerave për fajin se ky komisioner po zbatonte ligjin.” “Ngjarja e djeshme ishte tepër e shëmtuar, ai ishte standard i Edi Ramës, nuk ishte i imi”, ka shprehur distancimin e tij kryeministri nga tensionimi i Fierit. “Rama nuk mund të ndryshojë as edhe një votë nga rezultati. Pse kërkon ta nxjerrë rezultatin me dajak dhe kërcënime? I bëj thirrje të zbatojë ligjin sepse askush nuk mund të cënojë edhe një votë të vetme”, iu drejtua ai më pas direkt kryesocialistit. Ndër të tjera, Berisha ka treguar detaje nga protestat e Fierit, për të cilat ka thënë se që në fillim kur tensioni u rrit, ai urdhëroi çdo simpatizant dhe mbështetës së PD të largohej nga vendi ky numëroheshin votat. “Më pas, komisionerët tanë mbaheshin peng në mënyrë të paskrupullt nga turmat e Partisë Socialiste dhe u kërkohej të numëronin nën diktatin e tyre. Edhe në Laç, komisionerët e PS mohuan të numëronin kuti, por ne nuk bëmë protesta, por me procedura ligjore, erdhi KQZ dhe i mori, nuk u bë asnjë tentativë për të imponuar komisionerët socialistë. Ishte veç një akt i shëmtuar, mbajtën peng për orë e orë të tëra komisionerët demokratë sepse edhe ata u ndjenë të rënduar psikologjikisht, ndaj dërgova disa zonja që të qetësonin situatën”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë. Ai ka përmendur gjithashtu se ka gisht në këtë ngjarje edhe emrin e Koço Kokëdhimës. “Edi Rama me emisarët e tij më kishte komunikuar se nuk do të njihte rezultatin e zgjedhjeve dhe se do të nxirrte popullin në protesta. Për koinçidencë, këta emisarë që erdhën të komunikonin vendimin e Ramës për të mos njohur zgjedhjet dhe se do të bënin protestat më të mëdha të bëra ndonjëherë, ishin biznesmenë nga Tirana e Fieri. Ky ishte Koço Kokëdhima, me disa punëtorë mjeranë të tij, të udhëhequr nga Gramoz Ruçi, bashkë me ca policë të Policisë Bashkiake”, akuzoi në mënyrë direkte kreu i qeverisë. Lidhur me protestat, ai tha se ky është një vend i tillë dhe qytetarët janë të lirë për të protestuar, ky është një standard ky i demokracisë, por natyrisht rezultati i zgjedhjeve me protesta, nuk mund të ndryshohet. “Me anë të tyre ti mund të zhurmosh nga humbja apo rezultati i zgjedhjeve, por atë nuk mund ta ndryshosh”, i është drejtuar ai Ramës. Berisha u bëri apel qytetarëve dhe mbështetësve të PD-së të ruajnë gjakftohtësinë, ndërsa për kundështarin e tij politik ishte të zbatonte ligjin. “Rama mund të bëjë protestë por në mënyrë absolute nuk mund të ndryshoj rezultatin. Nëse Rama donte rezultatin në Fier pse donte ta nxirrte me kërcënime e dajak?! I bëj thirrje të zbatojë ligjin. Askush nuk mundet në këtë proces transparent të cënojën një votë.”