Në njësinë numër 8, Berisha sulmoi ashpër kreun e Partisë Socialiste Edi Rama duke i vënë atij shenjën e barazisë me presidentin e fundit të sistemit komunist Ramiz Alinë. “Këtu në këtë lagje diktatura mori goditjen fatale. Edi Rama, mendon se mund te hakmerret për Ramiz Alinë kundër jush. Harroje z. Rama, fatin e Ramizit do të kesh edhe ti. Të paktën Ramizi hyri në garë dhe pati Vaterlonë këtu, kurse atij s’ia mban as në garë të futet. Në 28 qershor ai firmos fundin e karrierës së tij politike”, tha Berisha. Më tej kryeministri shtoi se “Me planin e përgjithshëm urbanistik ai ka vendosur t’ju ndëshkojë. Ta harrojë se mund t’ju ndëshkojë. Planin tuaj urbanistik do ta bëni ju sëbashku me Sali Berishën”, tha Berisha. Berisha premtoi vazhdimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve për tu shkëputur njëherë e mirë sic tha ai nga varfëria, ndërsa ka bërë edhe këtu përpjekje për diversion politik, kur ka kërkuar votat e të majtëve për të ndarë, sic tha ai, bashkë ëndrrën europiane. Berisha kërkoi gjithashtu votat e njësisë numër 4 në Allias, për të vazhduar, sic tha ai, ndryshimin e madh. “Ne bëmë realitet ëndrrën tonë atlantiste, ne do bëjmë realitet ëndrrën tonë europiane”, tha Berisha. Kreu demokrat garantoi legalizimin e të gjitha banesave në zonën e Alliasit si dhe garantoi pronarët në të gjithë Shqipërinë. “Ne ju garantojmë legalizim të plotë të të gjitha banesave tuaja. Ne i garantojmë pronarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, kompensim të plotë me vlerë tregu dhe vetëm vlerë tregu 100%. T’i dëshmojmë Evropës se ne dimë, se ne jemi të vendosur, jemi të përkushtuar të zhvillojmë zgjedhje evropiane, se në dyert e saj ne trokasim me votën e lirë, me përkushtimin tonë ndaj votës së lirë”, u shpreh Berisha. Kreu demokrat ishte gjithashtu në njësinë bashkiake numër 5 ku ka sulmuar Edi Ramën, që sipas tij, i ofendoi banorët duke mos u renditur në krye të listës. Në njësinë numër 3 Berisha u angazhua për rroga dhe pensione më të mira. “Në 28 qershor, ju dhe mbarë shqiptarët, të votojmë 10-ën” ishte thirrja që kreu demokrat u bëri qytetarëve të kryeqytetit.