Kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të njësisë bashkiake nr. 1 në Tiranë, ku iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të banorëve të kësaj zone. Lideri i demokratëve ironizoi deklaratat e kryetarit të PS-së për moshën e tij, duke thënë: “Rama thotë ma lësho ti se je lodhur dhe të vi unë i çlodhur. Eshtë aq vulgar, aq naiv sa nuk ka ku të shkojë. Ka humbur çdo betejë me mua dhe tani ka dalë me tezën ma lësho ti se s’e marr dot. Dhe unë kam tezën time, ne do vazhdojmë të lodhemi çdo ditë sepse njeriu që ka ndërmend të punojë do lodhet. Ti rri në kuti, rri në autobus dhe vazhdo”. Sipas kryeministrit, alternativa e PS-së është e braktisur sepse qytetarët nuk mund të pranojnë rritjen e taksave. “Ju e arkivuat atë si kryetar bashkie. Tani ky zotëria pasi ka humbur çdo betejë me Sali Berishën, nga e para tek e fundit, pasi ka një mungesë totale argumentesh dhe alternativa e tij është e braktisur. Ai ka blerë lentet e kamerave për ta bërë njeriun trefish, sepse e kanë braktisur, pasi ka paraqitur alternativën më të rëndë për rritje taksash për vendin” vijoi kryeministri. Ndërsa u shpreh i sigurt për fitoren e demokratëve në 23 qershor, kryeministri Berisha premtoi se do ta shndërrojë fitoren në mirësi për qytetarët.