“Ky është përcaktimi konktraktual midis dy forcave kryesore të koalicionit qeverisës”, theksoi kryeministri në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke e konsideruar zgjedhjen e Presidentit një proces serioz dhe transparent, kreu i qeverisë theksoi se qëndrimi i mazhorancës është dhe do të jetë kryekëput kushtetues dhe asgjë nuk mund të na spostojë nga respekti i plotë dhe total i ligjit themelor të shtetit. Kryeministri solli në vëmendje se Partia Demokatike iu drejtua Partisë Socialiste dhe negociatori demokrat Astrit Patozi i dërgoi një ftesë me shkrim, homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi që të takoheshin dhe të bisedonin për këtë çështje. “Në vend të përgjigjes me shkrim, Edi Rama nisi editorialin e radhës, në të cilin betohet solemnisht se do të rrëzojë këtë qeveri me çdo kusht dhe se rrëzimi dhe vetëm rrëzimi i saj është problemi kryesor i këtij vendi dhe Edi Ramës. Me këtë editorial ai qartësonte plotësisht se ata nuk do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit”, theksoi kryeministri Berisha para deputetëve të grupit parlamentar demokrat. Kryeministri Berisha, propozimin me katër pika të Partisë Socialiste për një tryezë mes partive parlamentare, e cilësoi një ultimatum dhe në funksion të politikave bllokuese të Edi Ramës. Kryeministri tha se reformat në vend janë bllokuar në dy pika, me të cilat Rama, sipas tij synon t’i dënojë ose do të shkatërrojë zgjedhjet. “Elektronika: ODIHR nuk i beson komisionerëve të PS-së dhe vendos sistemin e atillë, i cili sipas ODIHR nuk mund të instalohet pa u praktikuar 24-36 muaj, sepse kërcënon zgjedhjet me defektet që mund të pësojë”, tha ai. Kryeministri gjithashtu theksoi se kërkesa për heqjen e imunitetit është një deklaratë hipokrizie nga kryetari i PS-së. “Ramën nuk e lejojnë bosët që të prekë imunitetin. Ai një axhendë e bën me faktorin ndërkombëtar dhe një e bën me milionerët e tij. I bëj apel Ramës që në interesin më të mirë të vendit le të angazhohemi për një president të besueshëm”, theksoi Berisha. Në mbyllje të fjalës së tij para grupit demokrat, kryeministri i bëri sërish apel kryetarit të PS-së, Rama që të bashkëpunojë me mazhorancën për t’i dhënë vendit një president të besueshëm.