“Unë ju garantoj se ne do të vazhdojmë me uljen e tyre. Ky është zotimi im. Për sa kohë ju të votoni këtë forcë politike, kjo forcë politike do të mbetet forcë e qëllimit të taksave më të ulëta në Europë, forcë e qëllimit barra burokratike më e lehtë në Europë”- tha Berisha. Kryeministri Berisha ka deklaruar se gjatë mandatit të dytë do të zbatohet një regjim preferencial fiskal për sektorë të caktuar, si energjetika, arsimi dhe shëndetësia me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja në këto fusha. “Do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal. Katër vitet që shkuan, ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive dhe bëmë mirë, sepse i ulëm ato për të gjithë. Tani disa sektorë e kanë më të domosdoshëm. Parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë. Investimet në shëndetësi, investimet në arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash. Sikundër do bëjmë çdo përpjekje për partneritetin publik privat, që gjer tani në fushën e investimeve kryeson me epërsi të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, në fushën e turizmit deri diku, akoma nuk ka marrë shpejtësinë e plotë në fusha të tjera”, theksoi kryeministri Berisha. Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar gjithashtu se gjatë 4 viteve të ardhshme Shqipëria do të shndërrohet në vendin e konkurencës së lirë ku të gjitha bizneseve do tu garantohen rregulla të ndershme në treg.