“Natyrisht nuk mund të them se nuk ka pasur ndikime dhe pasoja të krizës, por ajo është solide dhe tregjet financiare ruajnë besim të plotë ndaj saj”, – u shpreh kryeministri, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të mërkurën në mbrëmje. Kurse shtoi se kreditë e siguruara nga Ministria e Financave janë një besim i madh që tregu financiar ndërkombëtar ka në performancën financiare dhe ekonomike të Shqipërisë. Berisha vlerësoi sigurimin e këtyre kredive, duke theksuar se ato vijnë “në një kohë kur shumë qeveri të tjera nuk sigurojnë dot të tilla kredi” Këto vlerësime të kryeministrit, u bënë duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar nga Ministri i Financave Ridvan Bode me bankat ndërkombëtare, Alpha Bank dhe Deutsche Bank prej 250 milionë eurosh për të kredituar qeverinë shqiptare për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009. Kryeministri tha se “kjo kredi, e cila pati një rezonim të fuqishëm dje në agjencitë më të mëdha ndërkombëtare, dëshmoi edhe njëherë se ekonomia shqiptare është solide”. Duke theksuar se janë edhe një seri kredish të tjera, Kryeministri vuri në dukje se kredia e siguruar nga ministria e Financave, në një kohë të një stuhie financiare evropiane dhe botërore, vjen si medalje, për të gjithë ata që i kanë qejf medaljet. “Unë do të thosha që më shumë vjen si një certifikatë e vërtetë besimi”, ishte vlerësimi që bëri Kryeministri.