Kryeministri deklaroi se 500 milionë dollarë do të investohen për rikonstruksionin e rrugëve në mbarë vendin, pasi sipas tij rrugët e reja i kanë ndryshuar jetën qytetarëve në zona të ndryshme të vendit. “Unë kërkoj që në këtë buxhet të ruhet dhe të konsolidohen përparësitë më kryesore, të përqendrohemi me të gjithë potencialin tonë në rrjetin rrugor, edhe pse me paratë e rrugëve mund të bëhen projekte të tjera, por e theksoj se rrugët do të jenë përparësia absolute e qeverisë”, deklaroi kryeministri. Shefi i ekzekutivit përmendi në këtë kontekst tunelin e Elbasanit, nga i cili përfitojnë në kohë mbi 1 milion shqiptarë, nga Kuçova në Leskovik. Andaj sipas shefit të qeverisë, ekzekutivi do të përqendrohet në mënyrë primare tek rrugët. Kryeministri kërkoi mirëkuptimin e deputetëve, pasi vendi ka edhe probleme të tjera, por sipas zotit Berisha duhet të vazhdohet me këtë ambicie duke këmbëngulur se “i tërë potenciali i buxhetit duhet të jepet për tunelet”. Kryeministri Berisha, i cili kthehet në kryeqytet pas një turi dyditor përurimesh në Jug të vendit, garantoi se qeveria do të mbështesë projektet rurale. Ai nënvizoi ndërkaq se në takimet në Jug të vendit ka gjetur më shumë optimizëm te qytetarët për shkak të rrugëve të reja në komunat e bregdetit. “Investimet në rrugë do të njohin dimensione të reja, edhe pse ju them se është një përzgjedhje e vështirë”, vlerësoi kryeministri Berisha. Por, shefi i qeverisë ka cilësuar si përparësi të dytë rritjen e rrogave dhe pensioneve, që sipas kryeministrit janë politika më e drejtë, pasi administrata shqiptare duhet të paguhet mirë. “Me këto investime të rrogave po vijnë të rinj të shkolluar në shkollat më të mira”, theksoi kryeministri.