Tiranë – Berisha, nuk na u vendos ultimatum nga BE

Një konfirmim të tillë, kryeministri Sali Berisha e ka bërë gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, duke deklaruar se “ata që mendojnë se na janë vënë ultimatume në atë darkë, u ka mbetur ora në momentet e vështira të vendit. Por ata duhet ta studiojnë mirë politikën se çfarë do të thotë ultimatum dhe kushtet kur ai vendoset”. “Në vlerësimin tim qartësisht pozitiv, në atë darkë ishin miq të Shqipërisë që me mirëkuptim pozitiv ftuan mua dhe z. Rama për të shqyrtuar problematikën politike në vend dhe unë atje shkova dhe do të shkoj pa asnjë lloj problemi se kundërshtarin nuk e marr për armik. Dhe çdo interpretim i kësaj natyre, është thellësisht interpretim primitiv”, tha ai më pas. “U diskutua vendosmëria për të respektuar Kushtetutën e këtij vendi dhe për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar, por jashtë çdo lloj konteksti, të një borxhi ndaj dikujt”, shtoi më tej kreu i qeverisë. Në fund, kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria ka detyrime konstante ndaj opozitës dhe mbi bazën e këtij sensi përgjegjësie janë ofruar opsione, porse nuk bëhet fjalë sipas tij, për vënie ultimatumesh nga evropianët ndaj palës shqiptare.

Advertisement