Duke folur në Kuvend, shefi i qeverisë tha se “Ne vijmë këtu me një nismë që na barazon me çdo qytetar shqiptar”. Ai risolli në vëmendje vitin 2005 kur mazhoranca e djathtë erdhi në pushtet pas tetë vitesh në opozitë. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha theksoi se “Erdhëm në pushtet kur një post në Policinë e Shtetit paguhej me 200 mijë euro. Erdhëm në pushtet kur Shqipëria renditej një ndër 24 vendet më të korruptuara të planetit”, tha kryeministri. Ai theksoi se qeveria e tij vendosi t’i shpallë luftë korrupsionit me vullnet të hekurt. “Erdhëm në pushtet kur postet në administratën publike paguheshim me mijëra euro dhe administrata ishte ndërtuar mbi bazën e konfliktit të interesit. Erdhëm në pushtet duke patur si kriter nisjen e luftës kundër korrupsionit direkt nga zyrat tona”, bëri me dije kryeministri. Kryministri Berisha theksoi se Shqipëria duhet të ketë potencialet e duhura për të ecur krah vendeve të zhvilluara dhe për këtë sikundër tha ai nevojiteshin vetëm standarde të reja. Këtu shefi i ekzekutivit përmendi një sërë standardesh të reja të vendosura si për Prokurorinë e Përgjithshme, ku sipas tij u morën në konsideratë vlerësimet e KiE-s dhe GRECO-s për drejtësinë. “Ndërmorëm ligjin për prokurimet publike, për koncesionet, u krijua regjistri elektronik për biznesin, u hoqën 2/3 e lejeve dhe liçencave, u bënë transparente doganat dhe çmimet e referencës”, reforma që sipas Kryeministrit u ndërmorën për të luftuar në maksimum korrupsionin. “Ne jemi qeveria që doli të luftojë korrupsionin më shumë se çdo qeveri tjetër”, tha kryeministri. E duke iu referuar luftës kundër korrupsionit në të gjitha fushat Berisha tha se kjo luftë solli rritjen e ekonomisë shqiptare duke ritheksuar se “Shqipëria pati rritjen më të madhe ekonomike krahasuar me vendet e Europës gjatë kohës së krizës së thellë financiare. Kryeministri Berisha duke iu drejtuar qytetarëve tha se rezultatet e qeverisë janë të prekshme në të gjitha fushat e jetës, pasi sikundër tha ai qeveria e tij mbërriti të rrisë rrogat e pensionet. “Ne do ta fitojmë luftën kundër korrupsionit”, tha kryeministri Berisha, duke akuzuar deputetët e opozitës se po pengohen për të votuar këto ndryshime pasi sikundër tha ai “kupola juaj ka 2 milion metra katrorë ndërtim në Tiranë”.


