“Është përdorur konventa ndërkombëtare e detit e cila përcakton qartësisht si bëhen matjet. Të jeni të sigurt, ushtria shqiptare nuk përdor hartën e një vendi tjetër, ka hartën e vet” – deklaroi kryeministri Berisha. Më 1 maj në ditën ndërkombëtare të punëtorëve Berisha deklaroi se gjatë qeverisjes së tij është ulur ndjeshëm dhe papunësia. “Qeveria ka qënë shumë e përkushtuar në papunësinë. Rritja ekonomike fakton që është gjeneratori i punësimit. Papunësia është ulur ndjeshëm. Janë një seri projektesh që kanë filluar apo fillojnë dhe që japin shanse punësimi si Kaskada e Devollit ku punësohen 7 mijë vetë, rruga Durrës-Morinë ku janë punësuar në tërësinë e saj 5 mijë vetë” u shpreh kryeministri Berisha i cili shtoi se kjo ditë përkon dhe me rritjen e pagave të mësuesve mjekëve, me rritjen e pensioneve për pensionistët. Në konferencën për shtyp kryeministri Sali Berisha ka folur edhe për gripin e derrave, duke treguar se do të krijohet komiti ndërqeveritar i cili do të marrë të gjitha masat për të parandaluar dhe përballuar epideminë. “Po e marrim me shumë seriozitet situatën dhe do marrim të gjitha masat. Disponojnë të gjitha mjetet dhe ato financiare” u shpreh kryeministri Berisha. Gjithashtu kryeministri Berisha u shpreh edhe për çështjen çame duke bërë të ditur se gjatë takimit që kishte zhvilluar me homologun e tij grek, gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, kishte diskutuar për çështjen çame duke mos dhënë më tepër detaje. “Me Karamanlis e diskutova problemin dhe do ta diskutoj problemin në çdo takim, sepse jam bashkëfirmëtar i traktatit që ka filluar të zbatohet në interesin e në të mirën e të dy vendeve. Nuk e konceptoj të mos i qëndroj traktatit por pala greke ka mendimet e veta, ne kemi tonat” u shpreh Berisha. Ndërkohë që për sa i përket listës së kandidatëve për deputet që do të garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit, kryeministri Berisha u shpreh se ende nuk është përcaktuar lista por do të hartohen sipas statutit të PD-së. Kryeministri Berisha u shpreh se është i sigurt në fitoren e zgjedhjeve dhe këtë siguri kishte marrë dhe nga Partia Popullore Europiane, në të cilën mori pjesë në kongresin e saj.