Tiranë | Berisha: në 18 muaj do të përfundojmë segmentin Tiranë-Elbasan

alt

Duke e falenderuar për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në nismën Adriatiko-Joniane, presidenti Ivanov dhe kryeministri Berisha vlerësuan se “ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme që lidhin të dy vendet si: Rruga e Arbrit, linja e interkonjeksionit energjetik apo ajo hekurudhore, por edhe projekte më madhore, si Koridori 8 janë jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, por edhe për zgjerimin e marrëdhënieve më të ngushta të bashkëpunimit, në të gjithë rajonin”. Në këtë kontekst, shefi i qeverisë i bëri të ditur presidentit Ivanov se “në 18 muaj, qeveria shqiptare do të përfundojë segmentin Tiranë-Elbasan, pjesë e rëndësishme e Koridorit 8, që lidh Tiranën dhe Shkupin, një segment që do ta shkurtojë distancën mes dy kryeqyteteve me rreth 100 km”. Dy autoritetet e larta të vendeve fqinje ripohuan angazhimin e plotë të dy vendeve për ecjen sa më shpejt përpara drejt integrimit në BE e në NATO për Maqedoninë. Kryeministri Berisha dhe presidenti maqedonas mbështetën plotësisht idenë e integrimit sa më të shpejtë euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe u ripohua angazhimi i dy vendeve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën ekonomike, të investimeve të ndërsjella dhe të shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve dhe popujve, si dhe zgjerimit dhe konsolidimit të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

Advertisement