Tiranë – Berisha, ndihma ekonomike dyfishohet nga data 1 maj

“Një skemë e re po përgatitet dhe qeveria është e gatshme të vendosë në këtë skemë të gjithë sasinë e nevojshme të fondeve, me kusht që ajo t’u adresohet njerëzve më shumë në nevojë. Skema e re do të mbulojë plotësisht familjet me një prind, me shumë fëmijë.” Berisha njoftoi se ndihma sociale dhe ekonomike nga data 1 maj 2009 do të dyfishohet dhe në 4 vjet, trajtimi me ndihmë ekonomike rritet 108%. “Ndihma sociale dhe ekonomike me rritjen e këtij viti dyfishohet. Në vitin 2005, fatura e ndihmës sociale në vend ishte gjithsej 7 miliard lekë. Kam shumë kënaqësi të informoj qytetarët shqiptarë se sot, kjo ndihmë kap shumën 15 miliardë lekë në muaj, pra, është rritur me 108%. Në rast se do të ekonomizohej si duhet nga qeveritë vendore, do t’u adresohej atyre që kanë nevojë, siç bëjnë edhe shumica e tyre. Në të gjitha bashkitë e komunat ku shkoj, konstatoj se është mbidyfishuar”, – tha kryeministri. Duke iu referuar studimit të Bankës Botërore, PNUD-it dhe INSTAT mbi nivelin e jetesës, Kryeministri tha se politikat e saj i dhanë një përgjigje më të qëndrueshme varfërisë dhe Shqipëria sot, ka mbi 200 mijë të varfër më pak. Ai garantoi se në mandatin e dytë, qeveria do të nxjerrë nga varfëria çdo shqiptar që përjeton këtë situatë. “Në rast se e lexuat studimin mbi varfërinë në Shqipërisë, varfëria ekstreme nga 3.6, kishte zbritur në 1.7, më shumë se përgjysmuar. Por kjo duhet të shkojë në zero dhe unë i garantoj edhe këtë 1.7% të qytetarëve se ndërhyrje e shpejtë e fuqishme do të bëhet që ata ta harrojnë situatën që kanë përjetuar dhe të kenë një jetë pa dhimbje, siç e meritojnë,” u shpreh Kryeministri. Ai ka garantuar se “jo me fjalë, por me vepra dhe vendime të tilla, qeveria do të bëjë që në mandatin e dytë as edhe një qytetar shqiptar të mos njohë varfërinë ekstreme, do të bëjë që të dalin nga varfëria, qoftë edhe me këtë veprim direkt në portofolin e tyre, edhe ata shqiptarë që, sërish, janë në varfëri.” Duke vlerësuar se me këtë vendim qeveria përmbush një premtim, edhe pse i vështirë për shkak të shumës së madhe, Berisha tha se kjo politikë do të vazhdojë. Kryeministri tha sot se politika e pagave dhe pensioneve është një shtyllë konstante e programit të qeverisë që ai drejton. “Me politikën tonë të pagave dhe pensioneve, – tha Kryeministri – ne ia kemi dalë të ngushtojmë në mënyrë të ndjeshme diferencën midis pagave më të larta dhe atyre mesatare e minimale.” Ndërsa u ndal sërish në shifra: “Dy vjet më parë, diferenca midis pagës maksimale dhe asaj mesatare të administratës ishte rreth 11 herë, sot është në raportin 1 me 5, sepse paga mesatare në vend arrin në rreth 459.260 lekë, ose 460 dollarë”.

Advertisement