Me këto fjalë është shprehur kryeministri Berisha gjatë konferencës së mësuesisë, duke theksuar se qeveria që ai drejton, do të bëjë çdo gjë të jetë e mundur që mësuesi të përmbushë misionin e tij të madh. “Dyfishimi i pagave të mësuesve ka qenë një ndër vendimet më të vështira për qeverinë dhe për këtë jemi detyruar të marrim shumë masa si ajo e shkurtimeve në administratë dhe reforma të tjera ekonomike”, tha ai duke përmendur këtu masat konkrete të qeverisë në kuadrin e reformës në arsim. “Dhe këtë e kemi bërë pa rritur përqindjen e shpenzimeve në GDP dhe këtë e kemi bërë për të mos rënduar në supet e taksapaguesve”, shtoi Berisha. Sipas tij, reforma në arsim duhet të jetë në vazhdimësi dhe nuk duhet të kënaqesh ndonjëherë, por ato që arrin duhet t’i kesh si pikë për stacionin e ri. “Historia e sistemit arsimor është që të mos kënaqesh kurrë me veten”, përfundoi Berisha.


