Tiranë – Berisha, kriza botërore nuk e goditi Shqipërinë

Rruga në fjalë me gjatësi 3.7 kilometra, është një investim prej 176 milion lekë i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe do të jetë me gjerësi 5 metra, ndërsa projekti i saj përfshin trotuare në të dy krahët e ndriçim në tërë gjatësinë e saj. “Preza, dikur fortesë e paepur, sot me këtë rrugë, shndërrohet në një bizhu të vërtetë turistike për banorët e saj, për qytetarët e Tiranës dhe të vendit”, tha në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha. Sipas tij, vërtet viti 2009 ka qenë viti i një krize botërore nga më të thellat në historinë e njerëzimit, por ajo nuk e goditi Shqipërinë pasi ajo “mbi shpatullat tuaja e taksapaguesve ka vendosur barrën më të lehtë burokratike”. Më tej, Berisha tha se qeveria që ai drejton do të vazhdojë projektin e ndryshimit vendimtar të Shqipërisë dhe e shndërrimit të saj në një vend të vërtetë evropian. “Ky është projekti me të cilin shqiptarët do ta ndjejnë veten qytetarë evropianë, së pari, me heqjen e vizave brenda këtij viti, siç është premtuar, me rritjen e vazhdueshme të rrogave e pensioneve, në ndërtimin e infrastrukturës më moderne në rajon e më gjerë, me zhvillimin më tej të potencialeve të mëdha të vendit, potencialeve ujore, turistike, minerare”, përfundoi kreu i qeverisë.

Advertisement