Tiranë – Berisha konfirmon aplikimin për statusin e kandidatit në BE më 28 prill

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar se vendimi në fjalë nuk është i njëanshëm, por i bashkërenduar me vëndet anëtare dhe strukturat e Bashkimit Evropian. “Më 28 prill do të paraqesim kërkesën për marrjen e statusit të vëndit kandidat për në BE. Ky vendim i yni nuk vjen si një vendim i njëanshëm, por vjen si një vendim plotësisht i bashkërenduar me vëndin kryesues të BE dhe me Komisionin Evropian. Ky vendim është një veprim i konsultuar, sikundër kishim deklaruar më parë”, ka pohuar Berisha. Sipas kryeministrit, integrimi i Shqipërisë në BE është një proces i pandalshëm. “Ky do të jetë një proces i pandalshëm pasi e mbështesin 96 % e shqiptarëve, c’ka përbën një forcë, një motiv të pashtershëm të reformave të vazhdueshme për të arritur kriteret, standardet dhe normat e BE-së”. “Duhet t’u bëjmë të ditur qytetarëve shqiptarë se gjatë këtyre muajve janë zhvilluar negociata intensive me kancelaritë e vëndeve anëtare. Pikëpamja e qeverisë shqiptare, se për vëndin tonë procesi i anëtarësimit në BE është i pandalshëm ka gjetur mbështetje”, ka nënvizuar Berisha. “Ne paraqesim kërkesën pasi kemi plotësuar me seriozitetin më të madh kërkesat dhe detyrime që vijnë nga Marrëveshja Internim. Paraqesim kërkesën pasi të gjitha vendet anëtare të BE-së ratifikuan në parlamentet e tyre Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit mes Shqipërisë e BE-së” theksoi më tej kreu i qeverisë shqiptare. Berisha duke komentuar vendimin, tha se reformat e realizuara me sukses bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër Shqipëria të ftohet nga vetë kryeministri i Cekisë, vendi i cili ka dhe kryesimin e BE-së, për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit. “Reformat bënë të mundur që ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të shpallin suksesin e reformave të qeverisë shqiptare si frymëzuese për vendet e tjera të rajonit”, – theksoi Kryeministri në mbledhjen e posaçme të Këshillit të Ministrave, ku krahas ministrave të kabinetit qeveritar, ishin të pranishëm dhe drejtues të institucioneve dhe agjencive kryesore të shtetit. Në përfundim Kryeministri lexoi para mediave dhe më pas firmosi tekstin e letrës përkatëse që ai i drejton Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Mirek Topolanek, ku bëhet i ditur vendimi i qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian. Vijon letra e plotë: “Shkëlqesia juaj, zoti President! Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”.

Advertisement