Komiteti i Planifikimit të Strategjive, në mbledhjen e sotme, mori në shqyrtim të gjitha projektet e rëndësishme, realizimi i të cilave është financuar nga Komisioni Evropian. Berisha theksoi se Ministria e integrimit së bashku me Departamentin e Koordinimit dhe të Bashkërendimit të Strategjive dhe ndihmës së huaj, kanë selektuar të gjitha projektet që kanë hasur probleme në realizmin e tyre. “Disa prej këtyre projekteve kanë tetë vite në zbatim e sipër. Është marrë me trajtimin e tyre, por kjo mbledhje duhet tu japë përgjigje përfundimtare”, u shpreh kreu i qeverisë, Berisha. Sipas kreu të qeverisë, një pjesë e madhe e projekteve kanë nisur në 2002 dhe komiteti duhet të avancojë punën ne përfundimin e tyre. “Në ndonjë rast mund të ketë nevojë për ndryshim të mbikëqyrjes së projektit. Në raste të tjera ka domosdoshmëri për ndërhyrje edhe në buxhetin e shtetit, sepse disa nga këto projekte datojnë që nga viti 2002 apo 2003, disa janë projekte që bashkëlidhen me projekte të tjera, por është shumë e rëndësishme që kjo mbledhje tu japë përgjigje të gjithë problematikës së këtyre projekteve në mënyrë që ato të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Berisha në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive.