Një thirrje të tillë, kryeministri Sali Berisha ua ka bërë investitorëve të huaj gjatë një konference rajonale për ekonominë, e cila po zhvillohet në Tiranë, duke u theksuar se Shqipëria paraqet mundësi reale të shkëlqyera për një treg pune, pasi sipas tij, ai është treg evropian dhe i ri. “Tregu është i hapur dhe në Shqipëri dhe ju garantoj se tek ne do të gjeni tregun më të ri të punës në Evropë, të arsimuar mirë dhe më të lirin njëkohësisht. Nuk është nevoja të shkoni deri në Kinë, pasi këtu është një treg pune jo prej 1 miliardë personash”, bëri me dije kreu i qeverisë lidhur me një fakt të tillë. Më tej, ai ka shtuar se tregu shqiptar në tërësi paraqet mjaft interes për investitorët e huaj, falë edhe normativave të qeverisë lidhur me funksionimin e tij. Kreu i qeverisë shqiptare, Berisha, u është drejtuar investitorëve duke thënë se “Jemi të hapur edhe për energjinë atomike, për aplikimin e së cilës po përpunojmë të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor” duke paraqitur kështu projektin qeveritar për përdorimin e energjisë atomike, si burim energjie. Ndër të tjera, në këtë konferencë, ai ka pohuar gjithashtu, se “kemi nënshkruar 200 kontrata për energjinë dhe kemi bërë investime të mëdha, prej 5 miliardë eurosh”. Sipas tij, vendi ynë paraqet opsione mjaft të favorshme në fushën e energjisë dhe për këtë arsye, investitorët e huaj, duhet të jenë të gatshëm për të investuar në këtë fushë në vendin tonë. Duke u ndalur konkretisht në bashkëpunimin me Italinë, ai tha se ekzistojnë mundësi të shkëlqyera për të prodhuar energji dhe për t’ia shitur më pas këtij vendi, duke krijuar lidhje direkte me rajonin e Pulias.