Tiranë | Berisha: jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën

Wednesday, December 17, 2025

Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se ky takim duhet të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit ndërsa garantoi partnerët ndërkombëtarë se qeveria do bëjë gjithçka për funksionimin e shtetit ligjor. Ai gjithashtu theksoi se qeveria është e angazhuar për bashkëpunimin në kuadrin kushtetues me opozitën ndërsa i bëri thirrje asaj të bashkëpunojë për ndryshimin e reformës zgjedhore. “Presim përfundimin e këtij pocesi në kuadër tërësor institucional sikundër garantojmë plotësisht opozitën se jemi të angazhuar për një hapësirë të plotë të reformës zgjedhore, për t`i dhënë përparësi propozimeve të saj për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it” theksoi Berisha. Kryeministri Berisha gjithashtu ka ftuar opozitën të hartojë amendamentet për reformën zgjedhore dhe t`i dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në departamentin juristik të OSBE/ODIHR-it ndërsa shtoi se kjo mazhorancë do ti votojë ato pa asnjë kusht dhe pa asnjë koment. Kreu i qeverisë gjithashtu duke bërë apel për pritjen e përfundimit të procesit paszgjedhor në respekt të shtetit ligjor ka përsëritur angazhimin e qeverisë për një sistem të pakontestueshëm të votimit dhe numërimit elektronik. Sipas tij numërimi elektronik i votave do ishte përgjigja më e shkëlqyer e disa diskutimeve të panevojshme. “Qeveria është e gatshme të vendosë sistemin më të sigurtë dhe më të mirë elektronik që ekziston në ndonjë vend në të 4700 qendrat e votimit. Kjo do bëjë të mundur që për Shqipërinë të votojnë qindra mijëra emigrantë shqiptarë, aksionerë me kontribut themelor në zhvillimin e këtij vendi. Votimi elektronik është 100% i mundshëm dhe kërkon vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike për ta zbatuar atë” ka thënë Berisha, duke e argumentuar këtë me rrugën e mirë që ka bërë depërtimi i internetit në vendin tonë. “Ne jemi të aftë dhe kemi të gjitha mundësitë ta shtrijmë atë në çdo qendër votimi të këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që opozita të shqyrtojë me seriozitetin më të madh këtë ofertë, edhe në kuadrin e mbledhjes së sotme të ministrave të jashtëm të BE, jam i bindur se është interesi më i mirë i çdo force politike të angazhohemi me vepra e jo fjalë për të adresuar çdo problem që lind në mënyrën më transparente” ka thënë ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -