Tiranë – Berisha, gjithshka do të privatizohet

Kështu u shpreh kryeministri Berisha në një takim në të cilin merrnin pjesë ministra dhe specialistë përkatës, lidhur me procesin e privatizimit të aseteve publike duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet. Nga ana e tij, duke e cilësuar vitin e kaluar si tepër të suksesshëm në procesin e privatizimit të të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, kryeministri Berisha kërkoi që të kompletohet procesi i privatizimit të të gjitha aseteve publike, duke synuar rritjen në një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri. Më tej, ai tha se vlerat e krijuara nga procesi i privatizimit do të jenë një mundësi më e madhe për qeverinë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë. “Ky është takimi i radhës për një nga problemet në parim më madhore të qëndrimit tonë në rrafshin ekonomik, problemin e privatizimit. Ne kemi shënuar para këtij viti sukseset më të mëdha në privatizimin e të ashtuquajturave sipërmarrje strategjike, por ne duhet të kompletojmë privatizimin e të gjitha aseteve, e cila është e domosdoshme, duke përjashtuar digat, shkollat dhe spitalet. Ky proces është i domosdoshëm dhe jetik, para së gjithash, për tu ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë çerdhet e korrupsionit”, tha ai. Duke shtuar më pas se në këtë proces, synohet rritja një nivel të ri të menaxhimit të aseteve në Shqipëri. “Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme. Armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Por privatizimi është një provë jashtëzakonisht e rëndësishme për administratat që ju drejtoni”, e përfundoi fjalën e tij Berisha para ministrave dhe ekspertëve.

Advertisement