“Jam sot këtu për të garantuar opozitën shqiptare se në këtë parlament në çdo institucion, në çdo vend, në çdo moment do ketë të garantuara, plotësisht dhe tërësisht çdo liri dhe të drejtë që iu takon. Liritë dhe të drejtat për këtë shumicë, qëndrojnë dhe do qëndrojnë si shtyllë e çeliktë në themelet e republikës. Do të garantoj qytetarët shqiptarë se ligji dhe vetëm ligji do të rregullojë çdo marrëdhënie në këtë vend, midis shtetit dhe qytetarëve, midis partive politike dhe institucionet e këtij vendi. Opozita e vendit ka organizuar nga viti 1730 protesta dhe e garantoj se edhe të tjera paqësore do të garantohen, por gjithashtu ligji do të veprojë në mënyrën më të vendosur ndaj çdo dhunimi të rendit dhe funksioneve kushtetuese”, tha Berisha. “Ligji do të sundojë në këtë tempull, rrugë dhe shesh të këtij vendi. Kjo është kontrata jonë me çdo qytetar. Ndaj dhe kjo po kalon në fund të seancës. Do të keni të drejtë një orë, por nuk mund të bllokoni kurrë parlamentin”, tha Berisha. Ai ka theksuar se mazhoranca do të heqë dorë nga ndryshimi i rregullores për imunitetet, nëse opozita sjell propozimin për amendimin e Kushtetutës. Pas fjalës së kryeministrit, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka kërkuar fjalën, gjë që i është mohuar nga kryetarja e parlamentit e cila ka hedhur në votim rendin e ditës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës që është çuar e gjitha në këmbë, gjë që ka sjellë edhe ndërprerjen e seancës.


