Ai përmendi masat e marra nga qeveria, duke theksuar se mbjellja e ullinjve dhe arrorëve, është një prej projekteve që synon zhvillime në këtë sektor. “Ne kemi nisur këtë vit një projekt të dytë shumë të madh, të mbjelljes së 30 milionë rrënjë arrorë, siç janë lajthi, arra, bajame. Ne jemi të vendosur të realizojmë këtë projekt”, tha Berisha. Ai ka theksuar se problemi kryesor janë ndërtimet pa kriter që kanë zënë hapësira të konsiderueshme. “Toka ka pësuar dëme serioze për shkak të ndërtimeve pa kriter të cilat janë të pranishme nga jugu në veri por ne duhet të bëjmë përpjekje që të orientojmë për mundësitë që janë më të mëdha për vendin”, tha Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se projektet e qeverisë për mbrojtjen dhe pasurimin e tokës shqiptare me pyje dhe dru frutorë i kanë kaluar për administrim komunitetit për një zhvillim më të suksesshëm. Ai u shpreh se synimi kryesor është administrimi i kullotave nga pushteti vendor. “Nga viti 2005 e deri sot rreth 900 mije hektarë pyje e kullota që administrohen nga qeveria qëndrore i janë transferuar komuniteteve. Kjo reformë po vazhdon si kushti i të gjitha kushteve për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre të suksesshëm”, tha Berisha.


