Kreu i qeverisë deklaroi se banditëve dhe kriminelëve që iu vërsulën kryeministrisë u ishte dhënë garancia e plotë se do të përmbyset qeveria, duke bërë edhe më të qartë se “misioni i tyre ishte përmbysja me çdo kusht e Sali Berishës”. “Disponojmë të dhëna të plota për sasitë e eksplozivit, tritolit dhe kallashnikovëve me të cilat do të organizohej sulmi, mbi armët e sofistikuara, çadrat pistoletë, stilolapsat pistoletë, që do të përdoreshin në stadet e caktuara të këtij grushti shteti”, bëri me dije kryeministri. Kryeministri Berisha informoi gjithashtu se “disponojmë të dhëna se grupet u stërvitën ditë të tëra për të ndërmarë sulmin, dhe se puçi u financua me së paku 2 milion dollarë, apo 200-300 dollarë secili”. Berisha akuzoi kryesocialistin Edi Rama dhe puçistët e tjerë, se ata bënë gjithçka ato pesë orë për të marrë shtetin, duke garantuar sakaq se gjithçka ndodhi do të zbardhet përpara syve të shqiptarëve. “Të gjitha urdhrat e dhëna nga bllokmenët që po shihnin ëndrrën e tyre të bëhej realitet janë të dokumentuara” tha kryeministri Berisha. Ndër të tjera kryeministri Berisha i tërhoqi vëmendjen Presidentit të Republikës, se në deklaratën e tij të bërë tre orë pas nisjes së protestës, nuk kishte artikuluar në asnjë radhë të deklaratës fjalën “Dhunë”. Sipas Kryeministrit, Presidenti duket se nuk e kishte vënë re dhunën ndaj Policisë, duke nënkuptuar se edhe Presidenti i Republikës ishte pjesë e grushtit të shtetit. Berisha falenderoi SHBA-të që garantuan se do të japin ndihmë teknike për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të 21 Janarit. Ai theksoi gjithashtu se Prokuroria po fsheh të dhënat. Kryeministri bëri me dije se “Ky vend ka ligje dhe parlamenti bëri një hap kushtetues, pasi ka të gjitha kompetencat të hetojë çdo puç të brendshëm, dhe të marrë vendime në çdo kohë”. Në vijim të deklaratës së tij, kryeministri Sali Berisha informoi se mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Qeverisë është arritur një marrëveshje pasditen e të Mërkurës edhe me ndërmjetësimin siç tha kryeministri të një vendi mik, që secili nga oficerët e Gardës së Republikës të paraqitej në Prokurori për të dëshmuar për ngjarjen ku u vranë tre demonstruesit, në këmbim të anulimit të arrestimit të tyre. Por kryeministri Berisha deklaroi se “Pardje pasdite arritëm një marrëveshje që secili nga oficerët e Gardës të paraqitet në Prokurori dhe të anullohej arrestimi. Kjo ishte një marrëveshje e qartë si kristali, por tre orë mbrapa kjo marrëveshje u shkel, duke nënkuptuar sipas tij se pjesë e puçit ishte edhe kryeprokurorja Ina Rama. Duke folur për zgjidhjen e krizës që ka kapluar vendin pas ngjarjeve të 21 janarit, Kryeministri Berisha bëri me dije se “zgjidhje nuk mund të ketë pa ndëshkimin e puçit në të gjithë organikën e tij”. Vetëm pasi të merren përgjegjësitë ligjore mbi këto ngjarje të puçit të shtetit, situata do të shkojë drejt qetësimit, nënvizoi kryeministri. Ai informoi se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë pasi sikundër tha ai “Zgjedhjet do të jenë në vitin 2013, madje do shoh të dielën më të fundit që t’i organizoj”. Kryeministri Berisha i garantoi qytetarët se kanë të drejtën e të protestuari në mënyrë paqësore, porse akte të tjera dhune sipas tij nuk do të lejohen më.