“Në rast se pala tjetër, ose në rast se LSI-ja apo forcat politike vendosin t’i bashkojnë votat me ne, të bëjmë 84 vota dhe ta votojmë këtë ligj si detyrim dhe respekt ndaj vendit dhe zhvillimit të tij. Sepse biznesi ka nevojë të domosdoshme për këtë ligj”- tha Berisha. Berisha gjithashtu ka akuzuar Ramën se po vepron kështu për shkak të interesave të tij personale. “Krijimi i gjykatës administrative është vendimi më i mirëpritur nga biznesi shqiptar. Ky ligj hartohet me eskpertizën më të mirë ndërkombëtare. Opozita bojkoton dhe refuzon votat e saj sepse urdhërohet faktikisht nga kryetari i bashkisë së Tiranës, të cilit ky ligj nuk i lejon më ta trajtojë bashkinë si oborrin e tij personal”, ka deklaruar Berisha. Sipas kryeministrit, Rama e kundërshton këtë ligj pasi i pengon atij favorizimin e firmave të ndërtimit në dhënien e lejeve. “Ky ligj nuk i lejon më Ramës që nga qindra firma ndërtimi në Tiranë, të preferohen vetëm 4 prej tyre. Ky ligj nuk i lejon kryetarit të bashkisë që dhjetëra studio projektimi e qindra arkitektë të shkolluar në vend dhe jashtë, të rrafshohen dhe injorohen për kryeqytetin dhe vetëm dy studio të marrin 50 leje ndërtimi”, ka theksuar Berisha. Pas votimit elektronik, kuvendi ka miratuar dekretet e presidentit të Republikës, Bamir Topi, atë të shkarkimit nga detyra të ish-ministrit të Punës, Anastas Duro dhe emërimin në vend të tij të ministrit të ri, Viktor Gumi. Me 73 vota pro, ky dekret u miratua. Ndërkohë që Topalli deklaroi se nuk do të ketë një seancë të dytë pasi më parë u ishte bërë thirrje deputetëve të Partisë Socialiste dhe ata nuk erdhën.