Tiranë – Beqja, rishikimi i buxhetit nuk përmirëson situatën e vendit

“Situatën e vështirë ekonomike të vendit dhe situatën e vështirë fiskalë të buxhetit të shtetit, për fat të keq të të gjithë shqiptarëve, nuk do ta përmirësojë as ndryshimi i buxhetit të vitit 2009 i miratuar të enjten e kaluar. Ky ndryshim i buxhetit u miratua vetëm falë votave të LSI-së. Në nëntor të vitit 2008, LSI e pati kundërshtuar këtë buxhet. Tani, me një pafytyrësi politike të pashoqe miraton ndryshimet e tij. Partia Socialiste ripërsërit vendosmërinë e saj për të kundërshtuar me çdo mjet demokratik mazhorancën e sotme të cilën shqiptarët nuk e kanë votuar” tha Beqja. Sipas tij, në mënyrë të përsëritur, për disa muaj rresht administrata tatimore dhe doganore vijojnë të mos mbledhin të ardhurat e programuara. “Defiçiti i krijuar nga mosmbledhja e të hyrave është 185 milionë dollarë, defiçiti i krijuar nga mosmbledhja e të ardhurave në tatime e dogana është 155 milionë dollarë. Realizimi i planit të tatim fitimit vetëm me 84% dëshmon qartë për vështirësitë që kalojnë sipërmarrjet shqiptare. Realizimi i planit të kontributeve të detyrueshme vetëm me 94% dëshmon përsëri qartë se nuk kemi rritje të punësimit siç është premtuar nga qeveria. Në 8 muajt e parë të 2009 është mbledhur si tatim mbi vlerën e shtuar vetëm 4.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2008. Në kushtet që 70% e TVSH-së mblidhet në dogana dhe në kushtet e zhvlerësimit të monedhës vendase me të paktën 6 % krahasuar me një vit më parë, rezulton se ekonomia shqiptare nuk është rritur në 8 muajt e parë të vitit 2009. Kjo është e dhëna më e saktë, e dalë nga raportimet zyrtare të vetë ministrisë së financave që dëshmon se deklarimet e Kryeministrit dhe Ministrit të Financave për rritje ekonomike janë të gënjeshtërta” tha më tej Beqja.

Advertisement