Tiranë | Bashkia nis kontrollin e tregjeve të shumicës

Tuesday, December 16, 2025

Në krye të aksionit për mbikëqyrjen e tregjeve ishte nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti. Nënkryetari Panariti u shpreh se Bashkia e Tiranës është e vendosur të ndalojë fenomenin e përvitshëm të abuzimit me çmimet në prag festash, por pa cënuar lirinë e tregut. “Bashkia e Tiranës është e vendosur me çdo mënyrë, për të ndaluar të gjithë abuzimet dhe spekulimet me mallrat ushqimor. Kjo është edhe arsyeja që sot ne ndodhemi këtu, në një nga tregjet e shumicës të Tiranës, për të ushtruar të gjithë kompetencat që ne na njeh ligji, për të ndaluar spekulimet dhe abuzimet në treg. Nuk kemi ndërhyrë dhe nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në mekanizmin e kërkesë-ofertës. Për ne, tregu i lirë është i shenjtë, por ne do të ndalojmë me çdo kusht spekulantët, ata që abuzojnë me çmimet në dëm të konsumatorëve, por njëkohësisht ne ndihmojmë edhe tregtarët, sepse u garantojmë atyre mjedisin e duhur, për një konkurrencë të lirë dhe të ndershme”, deklaroi për mediat Panariti. Gjatë aksionit të sotëm u krye një fotografim i situatës dhe njohja me çmimet e artikujve të shumicës, por edhe të atyre të pakicës, ku zyrtarët e Bashkisë kërkuan shpalljen e çmimeve. “Insistuam që këto çmime të jenë transparente, të jenë të shpallura. Për fat të keq konstatuam që në një pjesë të madhe të tregut, çmimet nuk janë të afishuara. Në mënyrë miqësore, ne kërkuam nga tregtarët që shumë shpejt, duke filluar që nga sot e në ditët në vijim, të bëjnë transparencë të çmimit, duke shpallur çmimet në vendet ku ata tregtojnë këto produkte, në mënyrë që konsumatori kryeqytetas të jetë në çdo kohë i informuar në mënyrë transparente për çmimet e artikujve”, theksoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. Për mbikëqyrjen e çmimeve, katër grupe të përbashkëta të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve, Drejtorisë së taksave të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake janë instaluar pranë katër tregjeve me shumicë të kryeqytetit, atij tek Uzina Dinamo, tregu ushqimor tek Qyteti i Nxënësve, Sheshi “Avni Rustemi” dhe Tregu i Shumicës tek 21 Dhjetori, ndërsa grupe të tjera të përbashkëta monitorojnë tregjet me pakicë dhe supermarketet e kryeqytetit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -