Bashkia e Tiranës pritet t’i propozojë Këshillit Bashkiak kriteret për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale të banesave sociale. Kjo u bë e ditur të hënën nga nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, i cili pa nga afër kushtet në kompleksin e banesave sociale. “Pas marrjes në dorëzim, Bashkia ka punuar me një ritëm të lartë dhe sot ne i kemi propozuar Këshillit Bashkiak kriteret thelbësore për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale, si dhe vendosjen e të ardhurave minimale dhe maksimale për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që duan të marrin këtë shërbim dhe të përfitojnë nga këto banesa sociale”, tha Bozdo, ndërsa shtoi se do të ketë dy nivele qeraje, në përputhje me nivelin e të ardhurave të banorëve. Nënkryetari i Bashkisë theksoi se e reja në programin e banesave sociale është subvencionimi i qerasë nga ana e institucionit të bashkisë. Pas marrjes në dorëzim rreth një muaji më parë të banesave sociale Bashkia ka nisur punën për përfundimin e te gjitha modaliteteve që do të çojnë në shpërndarjen sa më parë të tyre. Aktualisht, bashkia është e gatshme të shpërndajë 385 apartamente për rreth 1200 aplikantë, qytetarë të Tiranës, që kanë nisur procedurat nga viti 2007 kur dhe u premtua për herë të parë kjo praktikë.