Tiranë | Bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e mjedisit

“Shqipëria ka vullnetin politik për të bashkëpunuar në çështjet e mbrojtjes së natyrës, në vijimësi me legjislacionin e BE dhe marrëveshjeve rajonale dhe ndërkombëtare”, tha ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i pranishëm në Konferencën e II-të Ndërkombëtare të Parqeve të Harkut Dinarik. Koka theksoi se “përpjekjet e përbashkëta të koordinuara janë të nevojshme në menaxhimin efikas dhe të qëndrueshëm të natyrës, duke theksuar rritjen e bashkëpunimit të autoriteteve të mbrojtjes së natyrës, e cila të çon në sistemet më koherente të mbrojtjes së natyrës dhe koordinim më të mirë në nivel rajonal”. Gjatë fjalës së tij, ministri i Mjedisit vlerësoi mbajtjen e kësaj konference dhe shprehu gadishmërinë e qeverisë shqiptare për bashkëpunimin rajonal në dobi të ruajtjes së mjedisit. Gjatë punimeve të konferencës, ministri Koka pati një takim me Komisionerin Europian për Mjedisin, Janez Potocnik, i cili e përgëzoi për përpjekjet që qeveria shqiptare po bën në fushën e mjedisit. Potocnik siguroi ministrin Koka për mbështetje të mëtejshme nga Bashkimi Europian për të ardhmen e mjedisit në Shqipëri. Në konferencë u nënshkrua marrëveshja e përbashkët “Big Uin 2” nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia. Marrëveshja synon të arrihet një bashkëpunim më i mirë i autoriteteve, me qëllim zhvillimin e zonave të mbrojtura dhe ruajtjen e sistemeve të natyrës në Harkun Dinarik.

Advertisement