Gjatë prezantimit të kandidates për kryetar të njësisë bashkiake nr. 6, Luzhiana Abazi, Basha tha se në projektin e tij parashikohet ndërtimi i 16 shkollave të reja dhe krijimi i kushteve për mësimdhënie cilësore. Mbështetja për studentët zë një vend të veçantë. Përveç krijimit të lehtësirave infrastrukturore, Basha tha se përmes bursave dhe projekteve të veçanta do t’u krijojë mundësi të gjithë rinjve të Tiranes të kryejnë arsimin e lartë. “Unë jam bir i dy prindërve të thjeshtë, si qindra e mijëra të rinj dhe të reja sot në këtë shesh dhe anembanë qytetit tonë. I vetmi privilegj, e vetmja mundësi që më është dhënë në jetë është mundësia për një arsimim të mirë dhe për një shkollim të mirë. Unë do të punoj natë e ditë që në këtë qytet ku sot ka me mijëra të rinj, secilit prej tyre t’u ofrohet mundësia për një arsim universitar. Sepse arsimi i qytetarëve të rinj të Tiranës, është e ardhmja e Tiranës dhe qytetareve të saj”, u shpreh Basha. Përveç arsimimit, Basha është angazhuar edhe në punësimin e të rinjve. Në këtë funksion, ai synon që në katër vjet të thithë 1 miliard euro investime në Tiranë. Po kështu, Basha tha se përmes një fondi të veçantë do të ndihmohen çiftet e reja për strehimin. Përsa i përket infrastrukturës, Basha bëri me dije se parashikon lidhjen e kombinatit me Tiranën përmes tramvajit. “Sa u çudit zoti qytetar i parë kur ne folëm për punësimin. A mund të imagjinoni të dashur bashkëqytetarë të mi, se sa e çuditshme duket për çdo kryebashkiak tjetër në botë, fakti që problem i parë i qytetit dhe qytetarëve tanë, nuk qenka problem i parë i kryebashkiakut tonë. Unë zotohem para jush se zhvillimi i infrastrukturës për te mbështetur punëdhënësin më të madh në këtë qytet, dhe thithja e 1 miliard eurove investimeve në Tiranë në katër vitet e ardhshme janë prioritetet e mia numër një. Kombinati dhe Njësia juaj vendore vuajnë lidhjen e ngadalte, sfilitëse, të kushtueshme, me pjesët e tjera të qytetit. Projekti im për Tramvajin nuk shkon deri në Durrës, por shkon deri në Kombinat. Nuk mjafton të nxjerrim Kombinatin në qendër, ne do të sjellim standardet e qendrës në Kombinat. Projekti ynë është plotësisht i realizueshëm, sepse ne do ta vëmë qytetin dhe qytetarët të parët”, tha para banorëve kandidati për kryebashkiak. Duke shpalosur programin e tij, Basha tha se parashikon investimeve në çdo cep të kombinatit në mënyrë që banoreve t’u krijohen kushte normale jetese.

Advertisement