Tiranë – Baronesha Hayman përshëndet deputetët e Kuvendit: parlamenti është forumi më i lartë i një shteti

Kështu e ka përshkruar misionin e një deputeti, Baronesha Hayman, kryetarja e Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar, në një fjalim përshëndetës që mbajti dje para deputetëve shqiptarë, duke pohuar se parlamenti është forumi më i lartë i një shteti. Sipas saj, ka vend gjithmonë për një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, edhe kur vendimet e mazhorancës nuk janë të pëlqyeshme dhe lënë vend për diskutime pasionante, pse jo edhe të ashpra. Ndër të tjera, Baronesha Hayman ka pranuar në fjalën e saj faktin se Shqipëria ka pësuar një transformim të madh dhe se ky vend ka bërë përparime të dukshme gjatë 20 viteve më parë, ndryshe nga periudha e diktaturës ku për njerëzit e botës perëndimore ajo ishte një libër i mbyllur. “Përgjegjësia e parlamentarëve për t’i kërkuar llogari qeverisë përbën një vështirësi të dukshme. Por ne duhet ta bëjmë këtë nëse mendojmë se politika e qeverisë është e gabuar”, tha ajo Duke shtuar se institucioni i parlamentit, është më i lartë se ai i partive dhe ndaj duhet të dalë mbi interesat e tyre. Sa i përket zhvillimit të rajonit të Ballkanit në përgjithësi, parlamentarja britanike tha se është fakt që vendet e tij janë duke punuar mes vështirësish të mëdha për të ecur para në rrugën e reformave. “Unë dua ta shoh Shqipërinë dhe fqinjët e saj, drejt rrugës së Bashkimit Evropian”, tha ajo, duke lënë porosi që bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të jenë një ndër rrugët për progres.

Advertisement