Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar sot pasdite pas deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lidhur me avionin e rrëzuar në Divjakë. “Vetëm Partia Demokratike merr guximin të akuzojë qeverinë pse po kapet drogë dhe pse po arrestohen trafikantë”, tha Balla. Sipas tij, “vetëm Sali Berisha dhe Lulzim Basha bëjnë thirrje të dëshpëruara për protesta pse policia është rikthyer në krye të detyrës dhe po godet krimin. Vetëm partia e Saliut dhe e Lulzimit kërkon dorëheqje sa herë autoritetet godasin krimin. Vetëm Partia Demokratike mund të nxjerrë konkluzione të shpifura për një ngjarje që është ende në hetim”. “Nuk duan të presin hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje sepse nuk ju intereson, por duan ta përdorin këtë rast politikisht”, tha Balla. Në fillim, vijoi deputeti socialist, “nxorën Sali Berishën që tha se avioni ra nga mbingarkesa e drogës, por hetimet e deritanishme dhe dëshmitarët tregojnë se avioni ishte bosh. Pastaj thanë se avioni ra mbi çatitë e shtëpive, por videot e dëshmitarëve treguan të kundërtën”. “Thanë se piloti dhe persona të tjerë nxorën drogë nga avioni, por çantat për të cilat flasin sot ndodhen në prokurori, ai objekt hetimi, e sipas policisë nuk përmbanin asgjë përveçse teshave të pilotit”, theksoi Balla. Sipas tij, “Filozofia e kësaj partie është: shpif e shpif se diçka ngelet. Por në këtë rast faktet janë të qarta. Policia është në krye të detyrës. Piloti është tashmë në duart e drejtësisë. Sasia e marijuanës që do të trafikohej është kapur. Trafikuesi po ashtu. Ngjarja po hetohet. Të dyshuarit janë në duart e drejtësisë”. “Të presim të gjithë hetimin e këtij rasti”, u shpreh Balla, duke shtuar se “Policia e Shtetit e bëri detyrën e vet, sepse prej shtatorit 2013 është ringritur dhe po funksionon. Sot, ndryshe nga koha e Saliut, shteti është në këmbë. Në krye të detyrës. Në shërbim të shqiptarëve”.