Deputeti Balla, gjatë paraqitjes në Kuvend të interpelancës me Kryeministrin Sali Berisha, lidhur me problemin e korrupsionit, tha se lufta antikorrupsion është lënë në harresë dhe se ky fenomen nuk luftohet me strategji, të cilat nuk përcaktojnë ku janë problemet. “E vetmja gjë që mund të mbahet mend nga kjo strategji janë dy numra telefoni, që nuk u përgjigjën kurrë. A u caktuan ndonjëherë fonde për këtë qëllim, a u shpërblye ndonjë qytetar që denoncoi korrupsionin”, tha Balla në Kuvend. Ai iu referua dhe raporteve vjetore të organizatës Transparency International, duke theksuar se indikatori i korrupsionit në vend është përkeqësuar vitet e fundit. Në përgjigje të kritikave të deputetit Balla për korrupsionin, Kryeministri Berisha tha se qeveria vijon luftën ndaj këtij fenomeni, por opozita ka tentuar vazhdimisht ta bllokojë. “Ne vendosëm që korrupsionin ta luftojmë nisur nga vetja jonë, nga zyrat tona dhe këtë e bëmë me anë të shërbimeve operative. Kemi miratuar ligje të rëndësishme për të frenuar korrupsionin në administratë. Janë penalizuar mbi 380 zyrtarë për korrupsion që nga viti 2005. Po ju çfarë bëtë gjithë këto vite për antikorrupsionin? Bllokuat imunitetin, bllokuat reformat, penalizuat vendin”, deklaroi Berisha në seancën e sotme plenare.