Tiranë | Avokati i Popullit marrëveshje me shoqërinë civile për të drejtat e njeriut

alt

“Asnjë ndryshim thelbësor nuk mund të bëjmë në jetët e njerëzve, nëse nuk bashkëpunojmë. Sfida jonë në fushën e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri është e shumëfishtë”, u shpreh Avokati i Popullit, Igli Totozani. Totozani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shoqërisë civile për disa çështje, si ndihmën ndaj banorëve të bllokuar nga reshjet e dëborës në zonat veriore, për komunitetin rom, komunitetin LGTB, etj. Ndërsa kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, u shpreh se BE e mbështet institucionin e Avokatit të Popullit dhe shoqërinë civile në Shqipëri. “Përmbushja e kritereve politike që Kopenhageni ka përcaktuar për Shqipërinë është një detyrë. Kriteri 11 dhe 12 kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e keqtrajtmit. Prandaj mendojmë se një përfshirje e zyrës së Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile do të japë një ndihmë në parandalimin e rasteve të diskriminimit të të drejtave të njeriut”, tha ambasadori Sequi. “Ne besojmë se shoqëria civile ka nevojë për t’u mbrojtur dhe promovuar dhe e bëjmë këtë në mënyrë konkrete. Besojmë se roli i fortë i shoqërisë civile dhe zyrës së AP-së është parakusht i procesit të integrimit sepse mbrojtja e të drejtave të njeriut është thelbësore për vlerat europiane”, tha Sequi. Kjo, vuri në dukje ambasadori Sequi, “është arsyeja pse BE është e angazhuar dhe ka dhënë më shumë se 5 milionë euro për të mbështetur shoqërinë civile në vitet e fundit”.

Advertisement