Tiranë | Asambleja e PS-së, Rama: të mbrojmë votën më 23 qershor

Rendi, ekonomia, zgjedhjet, integrimi, aleancat dhe riorganizimi për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, ishin pikat mbi të cilat kryetari i PS-së, Edi Rama, mbështeti fjalën e tij në hapje të punimeve të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Duke u ndalur në mënyrë të zgjeruar në gjendjen e rendit dhe sigurisë në vend, Rama tha se “krimi në vendin tonë ka marrë formën e një organizate të suksesshme, së cilës shteti nuk është i fuqishëm t’i bëjë ballë”. Nga ky këndvështrim, ai cilësoi si përgjegjës të situatës së krijuar, vet strukturat e larta të rendit. Ai premtoi se Partisë Socialiste do t’i duhen vetëm 300 ditë qeverisje që shqiptarëve t’u kthehet siguria e munguar. Rama iu rikthye sërish gjendjes ekonomike në vend, duke bërë përgjegjës për këtë sistemin e gabuar te taksimit. Ai tha se vetem një rotacion politik, që tashmë është kthyer në domosdoshmëri për shqiptarët, mund të ndalojë rrëshqitjen më tej të ekonomisë drejt greminës. Kreu socialist tërhoqi vëmëndjen e kryeministrit Berisha mbi qëndrimin e mbajtur prej tij për disa prej ngjarjeve të lidhura me faktorin shqiptar në rajon. Ai e cilësoi këtë si një sjellje dëshpëruese dhe fantazmë nacionaliste, që për interesa elektorale, po tjetërson rolin tradicional konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Ndërsa lidhur me integrimin e vendit në strukturat europiane, duke mos përmendur mos votimin e ligjeve të kthyer në pengesë të këtij procesi, Rama tha se “nëse ka një aset, ku të gjitha palët politike kanë dhënë kontribut, kjo është politika e jashtme”. Për t’i bërë ballë këtij realiteti të zymtë, siç e cilësoi Rama, që mbizotëron në gjithë sektorët jetikë, Partia më e madhe opozitare sheh si një alternativë të dobishme zgjerimin më tej të koalicionit me aleatët e saj. Madje Rama tha se spektrit të njohur më parë si i majtë do i bashkohen edhe parti të dala nga gjiri i së djathtës. Edhe formula e ndarjes së mandateve ishte pjesë e rëndësishme e fjalimit të Ramës në asamble. Ai tha se “me miratimin e kësaj formule ndarjeje, Kuvendi po shkel çdo kriter ligjor, ashtu si në rastin e zgjedhjes së një personi politik në krye të ILDKP-së, me qëllim mbulimin e vjedhjeve të pushtetarëve dhe kundërvënien ndaj opozitës”. E vetmja rrugë, sipas Ramës, për t’i dhënë një tjetër fytyrë gjendjes dhe imazhit të vendit, është riorganizimi në çdo detaj i çdo strukture dhe individi të Partisë Socialiste. Ai kërkoi një mobilizim si asnjëherë tjetër në mbrojtje të votës si dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në votim, pasi vetëm kështu mundet makineria shtetërore e devijimit të verdiktit.

Advertisement