“Shtypi në Shqipëri është vërtet i hapur dhe dinamik, por nevojitet një rrugë e gjatë për të thënë dhe pohuar se është i pavarur”, deklaroi ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e prezantimit të Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi. Duke vlerësuar nismën e krijimit të kësaj shoqate, me mbështetjen e USAID-t, Arvizu tha se ajo i shërben qytetarëve për të ngritur zërin bashkarisht dhe inkurajuar të tjerë që të bëhen pjesë e së ardhmes së Shqipërisë. “Nisma juaj për të ngritur shoqatën e gazetarëve investigativë është shumë mbresëlënëse dhe dëshira juaj për të mbajtur një faqe të pavarur interneti është shumë e rëndësishme. Media e pavarur investigative luan rol në ushqimin e qytetarëve të informuar”, tha ai. Duke nënvizuar se secili ka të drejtë të japë opinionin e tij, Arvizu shprehu shqetësim për atë që e cilësoi “gjuha e urrejtjes që vihet re përmes gazetarëve në Shqipëri”. “Gjithsecili ka të drejtë të japë opinionin e tij. Por, disa persona kanë opinione shumë të forta. Gjuha e urrejtjes dhe sulmet personale nuk kanë rol të rëndësishëm në përparimin e demokracisë së Shqipërisë”, theksoi ambasadori amerikan në Tiranë.