“Përpiqem t`i qëndroj larg termit “president konsensual” sepse ai term mund të sjellë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Unë dua të them konsultime aktive mes palëve kryesore sepse roli i presidentit është shumë i rëndësishëm për këtë vend dhe gjithashtu është i rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtar për SHBA-në por edhe për shtetet e Bashkimit Europian”, deklaroi Arvizu. Ambasadori Arvizu theksoi se roli i kreut të shtetit është shumë i rëndësishëm në jetën e një vendi ndaj kërkoi që ai të jetë një zgjedhje e përbashkët mes palëve, duke dashur të shmangë keqkuptimet që sjell termi ‘konensual’. “Roli i presidentit është i rëndësishëm për të zgjedhur krerët e institucioneve shtetërore si Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SHISH-it. Është e rëndësisishme që në këto institucione të vendosen njerëz me integritet. Ne mund të flasim për reforma, por nëse në këto institucione nuk janë njerëz me integritet këto reforma do të ishin qesharake. Është e rëndësishme që t`u largohemi falseve dhe të ecin në rrugën e reformave”, theksoi ambasadori Arvizu. Ambasadori bëri me dije se në takimin me kreun e opozitës u diskutua mbi shqetësimin e Partisë Socialiste për papunësinë në vend, situatën politike, ligjet e rëndësishme në Kuvend si dhe hetimet e 21 janarit.