Tiranë | Arvizu: dhuna mund të ishte shmangur, nuk zgjidh cështjen e korrupsionit

“Dita e djeshme ishte e tmerrshme për Shqipërinë”, tha ambasadori Arvizu, pasi dhuna sipas tij nuk e zgjidh aspak çështjen e korrupsionit. Arvizu duke iu referuar situatës së rëndë në Tiranë, tha se i ka bërë thirrje mazhorancës dhe opozitës të gjejnë rrugën për kompromis. “Është koha për të hequr dorë nga aktet e dhunës e për t’i dhënë fund dhunës e sharjeve. Është koha që forcat politike t’i shërbejnë vendit dhe interesave të qytetarëve të tyre dhe të gjendet rruga e duhur për zgjidhur ngërçin politik”, bëri thirrje ambasadori i SHBA-ve. Ndërkaq ambasadori amerikan ka shprehur shqetësimin për jetët e humbura në këto akte dhune. Ai i kërkoi prokurorisë të hetojë e të nxjerrë përpara drejtësisë përgjegjësit. Diplomati amerikan theksoi se nuk është koha për demonstrata të tjera, pasi sikundër tha ai duhet të rimëkëmbet vendi nga dëmet që pësoi një ditë më parë. Sipas ambasadorit Arvizu, i cili theksoi se e kish ndjekur nga afër demonstratën e djeshme të opozitës, disa protestues ishin jopaqësorë. Ai tha se nuk duhen nxitur provokimet, por duhet gjetur gjuha e përbashkët e cila do t’i bënte mirë qetësimit të situatës politike në Shqipëri.

Advertisement