Policia e Vlorës informon se vrasësi i biznesmenit, 32-vjeçari Adnand Gori u arrestua në orët e drekës së të hënës në një operacion të përbashkët mes policisë së Vlorës dhe Forcave speciale RENEA. Ekzekutori i biznesmenit u vu në prangat e policisë dy javë pas ngjarjes së rëndë falë operacionit policor të koduar “Aerodromi”. Sipas të dhënave të Policisë së Vlorës, i shumëkërkuari Adnand Fotaq Gori, banues në Vlorë u identifikua pas gjurmimit me metoda të specializuara dhe u kap ndërsa fshihej në Tiranë në një banesë me qera në afërsi të “Aerodromit të Vjetër”. Adnand Gori vrau me armë zjarri biznesmenin e ndërtimit nga Vlora, Ardian Dervishi pas një konflikti pronësie. Dervishi ishte administrator dhe përfaqësues i pronarëve të një trualli ku po ndërtohej një pallat i ri. Adnand Gori ka qenë i dënuar edhe më parë me 3 vjet burg për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Ai është nën akuzë për vrasje me paramendim dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit.