Gjatë seancës së ditës së djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë iu vunë prangat ish-përgjegjësit të fabrikës së Gërdecit që shpërtheu më 15 Mars të vitit 2008, Vezi Muça me akuzën për dhënie të dëshmisë së rreme. Muça ka deklaruar në dëshminë e tij se në fabrikë nuk punonin të mitur, ndërsa faktet e mbledhura nga prokuroria dëshmojnë të kundërtën. Ka qenë kërkesa e prokurorisë ajo që çoi Muçën në qeli pasi ai kishte dhënë përgjigje të ndryshme gjatë hetimeve të Prokurorisë, dhe dëshmitë e tij kanë rënë ndesh me njëra-tjetrën. Në momentin e arrestimit ish-përgjegjësi i fabrikës së Gërdecit nuk ka bërë rezistence duke heshtur para komunikimit të arrestimit.