Tiranë – Arrestohet biznesmeni për tjetërsimin e tokave në Golem

Ndalimi i Ajet Ruzit u krye pasi ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor sepse dyshohet për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit të kryer në bashkëpunim”. Hetimi për këtë person ka nisur rreth dy muaj më parë kur disa denoncime kanë mbërritur në Prokurorinë e Kavajës nga qytetarë të ndryshëm. Denoncuesit i kanë shitur tokat te firma që përfaqësohej prej Ajet Ruzit, por kjo u ka sjellë shumë dëme. Burimet nga seksioni kundër korrupsionit bënë të ditur se, duke falsifikuar dokumentet, Ruzi, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë tjetërsuar dhjetëra hektarë truall. Kjo ka shkaktuar një dëm prej miliona lekësh, në dëm të qytetarëve dhe pronave publike. Policia tha se procesi i këtij mashtrimi të madh sapo ka nisur dhe në të ardhmen do të ketë arrestime të tjera, ku priten edhe emra zyrtarësh, që dyshohet se kanë bashkëpunuar me këtë person.

Advertisement