Tiranë | Arrestohen për kontrabandë medikamentesh, mes tyre babai i deputetit Saimir Tahiri

Drejtoria e Policisë së Tiranës bëri të ditur sot se në kuadër të operacionit “Rispedal”, janë arrestuar 3 shtetas për “Kondrabandë të mallrave që paguhet akcizë”, “Kondrabandë të mallrave të licencuar”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” si dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”. Në kuadër të këtij operacioni policor, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme medikamentesh të futura përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës, duke iu shmangur kështu detyrimeve doganore dhe tatimore. Shtetasit Dritan Gjiza, 27 vjeç, Bashkim Tahiri, 62 vjeç dhe Nadire Taga, 63 vjeç, të tre banues në Tiranë, u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamentet me shumën e parave, ku u sekuestruan një sasi e konsiderueshme medikamentesh për diagnoza të ndryshme kurimi me vlerë mbi 10 mijë euro. Pas hetimit, u konkludua se shtetasi Dritan Gjiza, pasi siguronte transportimin me mjete të ndryshme, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës, duke bashkëpunuar edhe me shtetasit e sipër cituar, i tregtonin më pas në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri, e ndodhur në afërsi të QSUT në Tiranë. Nga hetimet e kryera u konkludua gjithashtu se shtetasit e lartëpërmendur këtë aktivitetet të kundraligjshëm e kryenin duke bashkëpunuar me njëri tjetrin prej 1 viti. Siç bëhet e ditur nga Drejtoria e policisë së Tiranës, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për hetime të mëtejshme, ndërkohë që vazhdon puna hetimore për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm, për konsumim të veprave penale të mësipërme.

Advertisement