Tiranë | Arrest shtëpie për tre persona të akuzuar për vrasjet e 21 Janarit

alt

Burime nga Prokuroria thanë se në Gjykatën e Tiranës janë dorëzuar tre urdhër-arreste, ku organi i akuzës ka kërkuar arrest me burg për Komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendin, shoferin e tij Arian Adhami dhe për Armando Kasaj, shefi i IT-së në Kryeministri. Sipas Prokurorisë, Armando Kasaj është në akuzë pasi dyshohet se ka përgjegjësi për riformatimin e serverit që ruante pamjet e të gjitha kamerave të Kryeministrisë, nga ku u fshinë pjesë të filmimeve të marra nga godina e Qeverisë gjatë demonstratës së 21 janarit të vitit të shkuar dhe nga momentet e të shtënave ndaj turmës. Komandanti i Gardës së Republikës akuzohet se ka dhënë urdhër për qëllimin e demonstruesve të tubuar para portës qendrore të kryeministrisë, por edhe përtej saj. Por Gjykata e Tiranës ka kërkuar vetëm arrest shtëpie për tre personat. Ekspertiza e FBI-së mbërriti në Tiranë pak ditë përpara përvjetorit të parë të vrasjes në bulevard të katër demonstruesve në 21 janarin e vitit 2011. Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA, ka ekzaminuar 14 gëzhoja, 8 predha dhe disa pistoleta, që u përkasin gardistëve, që ishin me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 janar të vitit të kaluar gjatë demonstratës së opozitës. Ekspertët e FBI-së kanë dhënë rezultate të sakta dhe konkrete për 8 predhat, që sipas ekspertëve shqiptarë nuk kishin vlera identifikueshmërie. Janë ekzaminuar predhat që u gjetën në trupin e Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, ndërkohë që ajo që vrau Hekuran Dedën nuk u gjet në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, organi i akuzës ka dërguar për ekspertim edhe 6 predha të tjera, të gjetura pranë vendit të ngjarjes dhe në disa godina përballë Kryeministrisë. FBI në ekspertizën e saj bëri me dije se bashkë me predhat, gëzhojat dhe armët, FBI ka sjellë edhe përgjigjet për serverin e Kryeministrisë, i cili u dërgua për ekspertim, pasi dyshohej të ishte riformatuar.

Advertisement